Autoritetet e Lituanisë e kanë konsideruar këtë pretendim si “dezinformatë”.
Lituania, vend anëtar i Bashkimit Evropian, është përballur me fluks të migrantëve kryesisht irakianë në muajt e fundit, çka ka shtyrë autoritetet të kthejnë mbrapsht migrantët ilegalë.
Ato po ashtu u kanë dhënë autoritet rojeve kufitare që të përdorin forcën.
Zyrtarë nga Lituania dhe BE-ja kanë thënë se fluksi i migrantëve është duke u orkestruar nga Alyaksandr Lukashenka, si hakmarrje ndaj sanksioneve të bllokut evropian për shtypjen qeveritare ndaj opozitës bjelloruse prej mbajtjes së zgjedhjeve të manipuluara një vit më parë.
Rojet kufitare bjelloruse kanë thënë më 4 gusht se kanë gjetur një burrë irakian “në gjendje serioze” afër kufirit me Lituaninë dhe ai “ka vdekur në duart e rojeve kufitare”, sipas kanalit të Lukashenkas në Telegram.
“Presidenti është informuar menjëherë për këtë vrasje shokuese të një irakiani të kthyer nga Lituania”, është thënë në platformën Telegram.
Mirëpo ministrja e Brendshme e Lituanisë, Agne Bilotaite, ka thënë se raportimet se janë “dezinformatë e pastër”.
“Një sulm hibrid është duke u kryer kundër Lituanisë dhe përhapja e dezinformatave të tilla është shembull”, ka thënë ministrja para gazetarëve, duke shtuar se përhapja e lajmeve të tilla të rreme do të ndodhë edhe në të ardhmen.
Më shumë se 4,000 migrantë janë ndaluar nga autoritetet e Lituanisë gjatë këtij viti, në krahasim me 81 më 2020.
Kufiri 679 kilometra i gjatë në mes të Lituanisë dhe Bjellorusisë, është kryesisht pa ndalesa fizike.
Më shumë se dy e treta e migrantëve janë shtetas të Irakut, të cilët duket se kanë arritur në Minsk, përmes fluturimeve të shpeshta nga Bagdadi.
Bjellorusia ka thënë se është në përgatitje e sipër të më shumë fluturimeve nga dy qytete tjera irakiane. /REL