Policia italiane ka vënë në pranga këtë të hënë Matteo Messina Denaro, një nga bosët mafiozë të Cosa Nostres. Po kush është në të vërtetë Matteo Messina Denaro dhe përse arrestimi i tij është një nga më të bujshmit në Itali.
Matteo Messina Denaro, bosi mafioz italian i kapur pas 30 vitesh në arrati, ishte shpallur në kërkim që në verën e vitit 1993. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për dhjetëra vrasje, përfshirë atë të vogëlushit Giuseppe Di Matteo, djalit të të penduarit, të mbytur dhe të tretur në acid pas gati dy vitesh rrëmbim.
Po ashtu ai është dënuar për masakrat e vitit 1992, që u kushtuan jetën gjyqtarëve Falcone dhe Borsellino, dhe për sulmet e vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë.
Denaro është arratisur njësoj si aleatët e tij besnikë Totò Riina, dhe Bernando Provenzano, i cili arriti të shmangte burgun për 38 vjet.
I destinuar nga lidhjet e gjakut për të marrë një rol në Cosa Nostra, Matteo Messina Denaro që prej moshës 14-vjeçare filloi të merrej me armë, ndërsa në moshën 18-vjeçare kreu vrasjen e parë.
“Me njerëzit që kam vrarë, unë mund të bëj një varrezë,” i tha ai një shoku. Kjo është një prej deklaratave më shokuese të tij.
Në përputhje me strategjinë e masakrës së Korleonezëve, prej të cilëve, si babai i tij, do të mbetet gjithmonë aleat besnik, ai u përfshi në ngjarjet e rënda e 92-shit ku humbën jetën gjyqtarët Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.
Messina Denaro i njohur me pseudonimin “Diabolik” luajti një rol të rëndësishëm edhe në masakrat e vitit 1993 në Romë, Firence dhe Milano. I akuzuari dhe i gjykuari u dënua me burgim të përjetshëm për bombat.
Arratisja filloi në qershor të vitit 1993. Në një letër që i kishte shkruar të dashurës së tij në atë kohë, Angela-s, ai shkruante “Do të dëgjoni për mua”, duke lënë të kuptuar se emri i tij do të lidhej së shpejti me gjakderdhje të rënda. “Do të më pikturojnë si një djall, por të gjitha janë gënjeshtra”-vijonte ai.
Matteo Messina Denaro ka grumbulluar dhjetëra dënime të përjetshme në karrierën e tij kriminale.
Përveç atyre për bombat, ai mori burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe vrasjen e vogëlushit Giuseppe Di Matteo, djalit të të penduarit të rrëmbyer nga një komando i Cosa Nostra, i mbytur dhe i tretur në acid në vitin 1996 pas gati dy vitesh robëri.
I shpallur fajtor për shoqatë mafioze që nga viti 1989, dënimi i fundit i tij si pjesë e mafies është 30 vjet burg në vazhdimësi me të mëparshmet.
Gjykata e Marsalës e njohu atë për herë të parë si bos të mafies në vitin 2012, kështu që Denaro mori gjithashtu një seri dënimesh të përjetshme në gjyqet Omega dhe Arca, të cilat hodhën dritë mbi një seri vrasjesh mafioze të kryera midis Alcamo, Marsala dhe Castellammare midis vitit 1989 dhe 1992.
Bosi “fantazmë” – Messina Denaro zotëronte fuqi të pafunde, por jetoi si një fantazmë, megjithëse fshehja e tij nuk e pengoi atë të bëhej dy herë baba.
Fëmijërinë dhe adoleshencën e kaloi në shtëpinë e gjyshes, më pas u zhvendos me nënën e tij.
Të dhënat për djalin kanë dalë nga përgjimet. Ai quhet Francesco dhe ka lindur midis viteve 2004 dhe 2005 në atë pjesë të provincës së Trapanit, midis Castelvetrano dhe Partanna, ku Messina ka ndërtuar fuqinë e tij ekonomike dhe kriminale.