Hakerat iranianë kanë publikuar sërish të dhëna të marra nga sulmet kibernetike të sistemeve të vendit tonë.
Këtë here faqja “Homeland Justice” ka publikuar të dhënat të tjera të kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit, Helidon Bendo.
Ata thonë se janë futur në postën elektronike të këtij të Bendos dhe prej aty kanë marrë shkëmbimet elektronike që ka pasur drejtori i SHISH.
“Homeland Justice” ka publikuar detaje nga takime, apo kontakte të ndryshme të Bendos.
Bashkë me publikimin e dokumenteve që kanë mundur të sigurojnë është shpërndarë edhe një mesazh.
“Çdo organizatë qeveritare ose joqeveritare që mbështet MEK-un do të jetë në shënjestër nga ne” – shkruajnë hakerat në Telegram.
Kjo është hera e dytë që Bendo është në shënjestër të hakerave iranianë. Pak ditë më parë faqja “Homeland Justice” publikoi të gjitha të dhënat e tij, duke nisur nga letërnjoftimi, pasaporta biometrike, automjetet, dokumentet e udhëtimit si dhe të gjitha hyrje-daljet nga shteti.
Materiali i publikuar tregoi hyrjet dhe daljet e Bendos që nga viti 2005 kur ka udhëtuar në Athinë dhe deri në 22 mars 2022 kur ka dalë me makinë nga pika kufitare e Qafë Botës.
Gjithashtu hakerat iranianë publikuan të dhëna edhe të familjarëve të Bendos të bashkëshortes dhe dy djemve të tij.
Kujtojmë se më herët faqja “Homeland Justice”, publikoi të dhëna edhe të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano si dhe e-mailet e tij.