Një oficer policie është vrarë dhe një tjetër është plagosur në një sulm me thikë në Bruksel. Ngjarja ka ndodhur të enjten në mbrëmje në lagjen Schaerbeek kur një burrë i armatosur me thikë sulmoi dy oficerët teksa patrullonin pranë stacionit të trenit Gare du Nord/Brussel-Noord. Prokurorët po hetojnë nëse sulmi kishte ‘motive terroriste’.
Sipas mediave lokale një oficer nga një patrullë tjetër iu përgjigj thirrjes për ndihmë dhe qëlloi mbi të dyshuarin, për ta neutralizuar. Sulmuesi u qëllua në këmbë dhe në bark dhe u dërgua në spital.
Ndërkohë raportohet se një nga oficerët e policisë nuk arriti t’iu mbijetonte plagëve me thikë pasi sipas mediave belge ai u godit me thikë në qafë. Oficeri tjetër u dërgua në spital për trajtim mjekësor të specializuar.
“Ne kemi marrë përsipër rastin sepse ekziston dyshimi për një motiv terrorist, i cili natyrisht do të duhet të konfirmohet ose të mohohet nga hetimi”, tha Eric Van Duyse, zëdhënës i zyrës së prokurorit federal për agjencinë e lajmeve AFP.
Sipas disa gazetave belge, i dyshuari kishte “bërë kërcënime kundër policisë” më herët gjatë ditës në një stacion policie në një komunë tjetër të Brukselit, por nuk ishte arrestuar.
Sulmi është incidenti i dytë me thikë që përfshin oficerët e policisë në Bruksel këtë javë.
Të hënën, policia qëlloi me armë zjarri ndaj një burri që iu drejtua me thikë në qendër të qytetit Rue Locquenghien, pranë Sainte Catherine.