Një aksident i rëndë i ndodhur mbrëmjen e së dielës në Itali, i ka marrë jetën katër personave me origjinë shqiptare.
Sipas mediave të huaja, viktimë ka mbetur një 22-vjeçare, djali i saj 2-vjeç dhe dy fëmijë të mitur të moshave 10 dhe 12 vjeç. Ndërkohë i plagosur rëndë ka mbetur drejtuesi i automjetit që dyshohet të jetë bashkëshorti i 22-vjeçares, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Aksidenti ndodhi rreth orës 20:00 Via Emilia midis Cade dhe Villa Gaida, në provincën e Reggio Emilia, drejt Parmës, në Itali.
Mësohet se, një makinë tip “ Fiat Stilo” ishte nisur në drejtim të Sant’Ilario, kur drejtuesi i makinës humbi kontrollin dhe doli nga rruga dhe u përplas me një shtëpi.
Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit tragjik, ndërsa mediat e huaja raportojnë se makina ishte e shkatërruar plotësisht. Po ashtu, ende nuk dihet me siguri nëse personat që mbetën viktimë e aksidentit janë të një famileje të vetme.
Sakaq, policia po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./Opinion.al