Shkrimtarja franceze Annie Ernaux ka fituar çmimin Nobel në Letërsi me motivimin “për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën ajo zbulon rrënjët dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”.
Çmimi prestigjioz jepet nga Akademia Suedeze dhe kap vlerën e 10 milionë korona suedeze (807,000 £).
Pas marrjes së çmimit shkrimtarja u shpreh se ishte “një nder i madh” për të.
Profesor Carl-Henrik Heldin, kryetar i komitetit, tha se puna e Annie Ernaux ishte “e admirueshme dhe e qëndrueshme”.
“Ajo eksploron vazhdimisht përvojën e një jete të shënuar nga pabarazi të mëdha në lidhje me gjininë, gjuhën dhe klasën. Annie Ernaux beson qartë në forcën çliruese të shkrimit. Puna e saj është pa kompromise dhe e shkruar në gjuhë të thjeshtë, të pastër. Dhe kur ajo, me guxim dhe mprehtësi klinike zbulon kontradiktat e përvojës sociale, përshkruan turpin, poshtërimin, xhelozinë ose paaftësinë për të parë se kush jeni, ajo ka arritur diçka të admirueshme dhe të qëndrueshme“, tha Carl-Henrik Heldin.
Librat e Annie Ernaux, duke përfshirë “Vendi i një burri” dhe “Historia e një gruaje”, konsiderohen si klasikë bashkëkohorë në Francë.
Ernaux është gruaja e parë franceze që fiton çmimin Nobel në Letërsi dhe i tha transmetuesit suedez SVT se ishte “një përgjegjësi”.