Pak ditë më parë autoritetet në Peru shkatërruan një rrjet ndërkombëtar trafiku droge që merrej me prodhimin, ruajtjen dhe transportin e ngarkesave të mëdha të lëndëve narkotike me destinacion Italinë dhe Gjermaninë, pjesë e të cilit ishin dhe shqiptarët. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan shqiptari Kadri Gjoci, 28 vjeç dhe biznesmeni italian Pasquale Bifulco 49 vjeç.
Sakaq, mediat spanjolle kanë bërë publike fotot e dy shqiptarëve të tjerë Robert Suloti dhe Mamo Espitare, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në këtë organizatë të trafikimit të drogës. Ata janë shpallur në kërkim nga policia.
Kujtojmë se gjatë operacionit agjentët e anti-drogës sekuestruan 2.3 tonë kokainë të pastërtisë të prodhuar në Peru. Po ashtu, përveç Kadri Gjoci dhe biznesmenit italian, në pranga ranë dhe dy shtetas të tjerë, peruani Luis Alberto Narbasya Huayanay 57-vjeç, të cilit iu sekuestruan 5 kilogramë 300 gram kokainë, dy automjete dhe pajisje komunikimi si dhe Elmer Cárdenas Ramírez 56 vjeç, të cilit iu sekuestrua një armë gjahu, një pistoletë dhe një revole.
Ngarkesat e drogës u nisën nga Alto Huallaga për në Lima dhe Tumbes në mënyrë që të transportoheshin me det nga porti i Callao në Evropë. Kështu, agjentët pasi mësuan se organizata kriminale do dërgonte një ngarkesë të konsiderueshme droge drejt Italisë dhe Hamburg në Gjermani ,u aktivizuan në shkatërrimin e këtij rrjeti që drejtohej nga italiani Pasquale Bifulco./Opinion.al