Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur deklaratës së Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç i cili tha se Prishtina po përgatit sulme në veri.
Gjatë një vizite në doganën e Kosovës, kryeministri Albin Kurti, tha se kur zyrtarët në Beograd, përfshirë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, flasin për dhunë dhe vrasje në Kosovë, ata flasin për veten.
“Në bazë të fitores së shkurtit të vitit të kaluar por edhe të qeverisjes sonë të mirë unë jam kryeministër i shpresës dhe progresit, ndërsa në Serbi keni një president të frikës dhe kërcënimit. Kur ata flasin për dhunë e vrasje flasin për vete, flasin për imagjinatën, mendimet e planet e tyre, nuk flasin për Republikën tonë. Për Republikën tonë flasin institucionet e shtetit tonë”, theksoi Kurti.
Kurti tha se Kosova është për paqe dhe stabilitet ndërsa e akuzoi Serbinë se ka nxitur rritjen e tensioneve në veri më 31 Korrik dhe 1 Gusht, kur serbët lokalë bllokuan rrugët me barrikada.
Ditën e djeshme, Vuçiç deklaroi se nuk beson se takimi me delegacionin e Kosovës më 18 gusht në Bruksel do të ketë sukses. Sipas tij, Prishtina po përdor situatën në Ukrainë për të bërë fushatë kundër Serbisë.