Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg përsëriti sërish se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë në çdo moment, nëse kërcënohet siguria në Kosovë.
Në një intervistë për gazetën Vjesti nga Mali i Zi, i pyetur nëse është i shqetësuar për stabilitetin afatgjatë në Kosovë, pas tensioneve të fundit në veri të vendit, Stoltenberg tha se Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e njëanshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ndër të tjera Stoltenberg theksoi se ka diskutuar me liderët politik në Prishtinë dhe Beograd për tensionet në veri të Kosovës, ndërsa shtoi se misioni i KFOR-it po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti.
“Së fundmi kam folur me lidershipin politik në Prishtinë dhe Beograd për tensionet në veri të Kosovës. Të gjitha palët duhet të qëndrojnë të qetë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, misioni i KFOR-it po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti. Misioni ynë është i përkushtuar për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë negociatat. Është thelbësore për paqen dhe sigurinë rajonale”-tha Stoltenberg./Opinion.al