Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se janë gjithsej nëntë barrikada të vendosura në veri të Kosovës, siç tha “me njerëz të armatosur”, që mbrëmë sipas tij kanë ndaluar qytetarët dhe kanë shtënë me armë zjarri.
Gjatë një konference për media, Kurti tha më 1 gusht se strukturat ilegale serbe në Kosovë po bëhen më agresive.
“Janë gjithsej nëntë barrikada. Presim që gjatë ditës së sotme të hiqen të gjitha”, tha Kurti.
Kurti tha se Qeveria përsërit zotimin se kur të hiqen të gjitha barrikadat, do të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të ekzekutimit për targat dhe dokumentet serbe.
Qeveria zotohet për shtyrjen e zbatimit të vendimeve, pas largimit të barrikadave
Këto dy vendime nxitën pakënaqësi te serbët lokalë të cilët bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Kurti tha se këto dy pikëkalime ende janë të mbyllura sepse “ende mbeten të bllokuara rrugën që shpien atje”.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se 11 qytetarë kanë marrë trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve të marra.
Po ashtu janë dëmtuar edhe disa vetura të qytetarëve dhe Policisë së Kosovës, nga siç tha Sveçla, “strukturat kriminale, ilegale të armatosura”./Rel