Ish-efektivit të RENEA-s, Remal Radës, i cili u arrestua nga policia pasi iu gjet snajper në automjetin që po lëvizte bashkë me shokun e tij, i është zbuluar një banesë e marrë me qera ku i janë gjetur armë të tjera.
Policia bën me dije se gjatë kontrollit në këtë banesë, në zonën e quajtur “Selitë e Vjetër”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 13 pajisje të ndryshme fiksuese dhe shtrënguese si ato të armëve, municion luftarak, këllëf pistolete, 2 radio Policie, një aparaturë valësh, dy elektrikë dore, njëri prej tyre me mbishkrimin “Policia”, 4 thika, targa shqiptare dhe të huaja, jelek multifunksional me mbishkrimin “RENEA”, shënjestër optike, 15 aparate celulare dhe sende të tjera.
“Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”-njofton policia.
39-vjeçari Rada u arrestua mbrëmjen e së dielës në afërsi të Saukut. Në makinën e tij, policia gjeti snajper, një armë zjarri, një silenciator, mjet identifikues të policisë, disa targa të huaja dhe pulti për hapjen dhe mbylljen e tyre.
Rada prej pak muajsh ishte larguar nga radhët e Policisë së Shtetit.