Deputeti i Bundestagut, Adis Ahmetoviç në një bashkëbisedim me gazetarët shqiptarë është pyetur nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet t’i ndajnë rrugët drejt integrimit në BE?
“Të mos flasim në këtë moment për ndarjen. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ecin së bashku”,-tha Ahmetoviç.
“Të dy vendet e meritojnë këtë hap dhe për këtë shkak unë vendosa të udhëtoj në Shqipëri për të bindur njerëzit për idenë e Bashkimit Europian. Shqipëria është pjesë e BE dhe ju meritoni të jeni pjesë e BE. Ishin gabimet tona tre javë më parë. Megjithatë ka vend për optimizëm. Ju duhet të vazhdoni të jeni optimistë. Ne duhet të lëvizim në drejtimin tuaj sepse ju keni bërë shumë. Pas kësaj vizite në Shqipëri unë do të takohem me disa anëtarë të qeverisë të Maqedonisë së Veriut për të promovuar zgjidhje. Mund ta nisim me elemente teknike për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është një shenjë dhe sinjal i mirë edhe për vendet e tjera në rajon. Na duhet një Shqipëri dhe një Maqedoni e Veriut e fortë”,-tha deputeti gjerman.