Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin ka frikë nga “shkëndija e demokracisë” që po përhapet në vendin e tij, duke shtuar se ai po përpiqej të ndante Evropën dhe të kthehej në një botë të dominuar nga sferat e ndikimit.
Gjatë një interviste për gazetën “Muenchner Merkur”, të publikuar të hënën, më 20 qershor Scholz u pyet nëse Putini do të pranonte që Ukraina të anëtarësohej në Bashkimin Evropian.
“Presidenti rus duhet të pranojë se ekziston një komunitet i demokracive të bazuara në ligj mes fqinjëve të tij që po afrohet gjithnjë e më shumë së bashku,” tha ai. “Ai qartazi ka frikë nga shkëndija e demokracisë që po përhapet në vendin e tij.”
Komisioni Evropian javën e kaluar rekomandoi që Ukrainës, e cila po përballet me një pushtim rus në lindjen e vendit, t’i jepet statusi i kandidatit për t’u anëtarësuar me Bashkimin Evropian, një lëvizje që gjithashtu Scholz tha se e mbështet.
“Putini dëshiron një Evropë të ndarë dhe një kthim në një politikë të sferave të ndikimit tha Scholz. “Ai nuk do të ketë sukses në këtë nisëm.”
Scholz paralajmëroi se rritja e çmimeve të energjisë ka të ngjarë të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe hodhi poshtë pretendimet e Rusisë, e cila tha se kishte shkurtuar furnizimet e gazit sepse mungonin pjesët e nevojshme të këmbimit për shkak të sanksioneve perëndimore.
“Ky shpjegim nuk është i besueshëm,” tha ai.