Me debate mes ministres Elisa Spiropali dhe ish-kryeministrit Sali Berisha është shoqëruar seanca e sotme plenare.
Berisha ka lëshuar akuza ndaj bashkëshortit dhe vëllait të ministres Spiropali. Ai u shpreh se bashkëshorti i saj i jep tendera vëllait të Spiropalit.
“Ndrikull Spiropali është titulli i një postimi, pas çdo fjale ka një vjedhje. Ndrikull 5 milionëshja është favoze me bashkëshortin e saj, Salarjonin, e cila ia jepte tenderat vëllait të saj që të shtoheshin milionat. Zonja që u pasurua aq shumë në dogana saqë kudo ta prekësh para nxjerr, burrin e çoi nga ujësjellësi në tenderat e KESH. Edhe aty përsëri Salarjoni, pra në qoftë se ka një burrë dhe një grua që kanë lumturuar njeri tjetrin me para publike janë Spiropali- Toto.Yt shoq i jep tenderin vëllait tënd. Nuk ka vjedhje më të madhe ditën për diell si kjo. Do të ta them edhe tenderin”,-tha Berisha në Kuvend.
Nuk ka munguar edhe përgjigja e Spiropalit, e cila tha se s’ka arsye për tu trembur dhe i bëri thirrje Berishës që të shkojë në SPAK për çdo gjë që mund të ketë kundër saj.
“Unë e njoh vëllain tim, sa e ka rrogën, ku punon. Njoh bashkëshortin, njoh kunatën time, nuk jam nga ata që nuk njohin baxhanakët. Mbaj përgjegjësi për të gjithë këta, se një cent nuk e kanë përfituar njerëzit e mi, çfarë mund të thuash për njerizët e tu Sali. Prandaj s’ma bën syri tërr, nuk kam për tu intimiduar, dëgjoje mirë këtë gjë. Po të bëj thirrje shko në SPAK e ku të duash, ty historia të del ndryshe, asnjë lloj shpifje nuk do na tërheq nga kjo betejë që nuk është me ty, por me një Shqipëri europiane që ty të ka lënë pas dhe ti nuk mund t’ia zësh më rrugën”,-tha Spiropali.