Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat të mbajtur ditën e sotme ka folur për kërkesën e deputetëve të Rithemelimit për genocidin në Srebrenicë.
Berisha akuzoi Ramën se ka kryer vepër penale në përputhje me ligjet që dënojnë mohimet e genocidit.
Më tej ish-kreyministri theksoi se PD do të paraqesë gjithnjë qëndrimin e politikën e saj të jashtme në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar.
“Shqipëria ishte vendi i vetëm që nuk ka dënuar asnjë nga genocidet që kanë ndodhur. Jo që nuk i ka dënuar, por shkalla e lartë e kriminalizimit të pseudo-mazhorancës së sotme bëri që Shqipëria dje të refuzojë një rezolutë për dënimin e genocidit në Bosnjë. Unë dua tu shpjegoj në mënyrë absolute, unë që po flas sot para jush nuk mendoja, ndonëse nuk e përjashtoja që kjo rezolutë nuk do votohet nga mbarë parlamenti. Pretendimet e Ramës e Ballës janë të neveritshme të personave të inkriminuar në çdo qoshe e skaj të psikologjisë së tyre. Rezoluta ka ndjekur rrjedhjen e procedurës normale për rezolutat, as ishte e papritur, as e befasishme as emergjente. Rama e Balla mashtrojnë, të kriminalizuar në çdo skaj të psikologjisë e karakterit të tyre kur thonë se nuk është votuar kundër rezolutës. Vota e djeshme ishte vota më e egër që mund të bëhej në parlament. Nuk është e vërtetë që u shty për më vonë. Ata që përpiqen të mbulojnë qëndrimin e tyre të shëmtuar, mbrojtjen që i bënë genocidit dje, kryejnë vepër penale në përputhje me ligjet që dënojnë mohimet e genocidit të dy janë fajtor për këtë akt të shëmtuar. Rama deklaroi dje se fajin e ka Saliu. Duhet të jesh në stadin e primitivitetit që dhe një akt të tillë të ndërgjegjes individuale e njerëzore t’ua kalosh të tjerëve. Pa asnjë diskutim që PD do të paraqesë, dora dorës e gjithnjë politikën e saj të jashtme, qëndrimin e politikën e saj të jashtme. Qëndrimi ynë është i bazuar në ligjin ndërkombëtar, në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Qëndrimi i Ramës është qëndrim zuzar dhe zuzar quhet qëndrimi kur nuk përfill normë dhe ligj. Dënoj qëndrimin e tyre të djeshëm. Ata që e mendojnë se kjo rezolutë ishte një kurth, unë i garantoj se nuk ishte kurth”-tha Berisha.