Shtatë deputetë të Partisë Demokratike i kanë drejtuar një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë, ku kanë kërkuar ngritjen e një komisioni verifikimi për investimet strategjike.
Sipas grupit të deputetëve të PD, dyshimet për një praktikë korruptive në rastin e Portit të Durrësit, apo rastet e bëra publike për aktorin Gazmend Paja apo bashkëshortin e ministres Olta Xhacka, kanë nxitur Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike që të ndërmarrë iniciativë për verifikimin e procedurave të investimeve strategjike.
Kërkesa drejtuar Kuvendit është firmosur nga deputetë; Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Lefter Gështenja, Arbi Agalliu dhe Ferdinand Xhaferraj, i kanë kërkuar Kuvendit ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për verifikimin e procedurave të dhënies së statusit të investitorit strategjik.
Sipas deputetëve të PD, megjithëse qëllimi i ligjit për investitorët strategjik, ishte pozitiv, në praktikë ka rezultuar se ai është përdorur kryesisht si një mekanizëm për t’u dhënë favore dhe përfitime njerëzve me lidhje të forta personale apo familjare pranë qeverisë dhe drejtuesve të Partisë Socialiste. Sipas deputetëve mbi këto projekte ka pasur hije dyshimi për korrupsion, favorizim, paligjshmëri, klientelizëm dhe arbitraritet, duke dhënë si shembull tre procedura:
1. për rastin e Portit të Durrësit;
2. rastin e anëtarit të Këshillit Bashkiak Tiranë (PS), z. Gazmend Paja, i cili ka përfituar 133 mijë m2 në Dhërmi; dhe
3. rastin e bashkëshortit të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe deputetes së PS-së, znj. Olta Xhacka, ish-deputeti socialist z. Artan Gaci, i cili ka përfituar të drejtën e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
“Me qëllim shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike, vlerësimin e mundësisë për hartimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë” me qëllim parandalimin e të gjitha praktikave të paligjshme, abuzive apo korruptive, duke pasur parasysh edhe rëndësinë thelbësore që ka për ekonominë tonë rritja e përthithjes së investimeve vendase dhe të huaja, nëpërmjet procedurave të ligjshme, transparente dhe meritokratike, çmojmë të nevojshme ngritjen e një Komisioni të Posacëm Parlamentar për Investimet Strategjike” – thuhet në kërkesën e 7 deputetëve të PD.
Komisioni propozohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij:
(i) shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike;
(ii) hartimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”; dhe
(iii) shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për Investimet”.