Kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe situatën e krijuar ditën e djeshme në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ku banorët refuzuan shembjen e banesave të tyre.
Ai u shpreh se “sa herë banorët do bëjnë këtë do të shoqërohen në polici”.
Gjatë prononcimit për mediat, Rama deklaroi se banorëve u është dhënë mundësia për kompensimin e pronave të tyre edhe pse bëhet fjalë për ndërtime të paligjshme.
“Ato do jenë pamje të përsëritura që sa herë për të mbrojtur një të drejtë individuale. Të gjithë banorëve u është dhënë qartësisht drejtim dhe kanë mundësi të përfitojnë të drejta që i meritojnë. Zhvillimi i këtij vendi nuk merret peng nga askush. Sa herë të ketë banorë që do të bëjnë këtë, do të shoqërohen në polici. Do të ketë të njëjta aksione. Opinionet e banorëve ua kam dëgjuar me dhjetra herë. A janë këta banorë të hedhur në rrugë të madhe, apo janë secili me një mundësi tjetër siç i takon. Këtë verifikoheni, unë them se kjo është e dyta. Ne do rindërtojmë për të gjithë të pastrehët e mbetur nga tërmeti. Askush nuk i imponohet një shteti. Bëhet fjalë për ndërtime të paligjshme, dhe pavarësisht kësaj, atyre u është ofruar kompensim”,-tha kryeministri Rama.