Për t’i dhënë fund asaj që demokratët e cilësojnë masakër elektorale në zgjedhjet e 25 Prillit bashkëkryetar i Reformës Elektorale, Oerd Bylykbashi thotë se nevojitet një reformë e re zgjedhore, ku të gjenden mekanizmat e mbrojtjes së fshehtësisë dhe lirisë së votës.
“Të gjithë themelet janë të cënuara dhe zgjedhjet nuk ishin as të lira e të ndershme. Për herë të parë na del si çështje prioritare cënimi i votës të fshehtë e të lirë, ka qenë edhe më parë. Një mekanizëm i plotë kontrolli që suprimon lirinë dhe votën dhe një Reformë Zgjedhore duhet të trajtojë këtë çështje. Ndryshimet e njëanshme janë morali më i keq ndaj rekomandimet thotë që reforma e ardhshme të jetë e kundërta e asaj që u bë. Ne na duhet të shohim që t’u garantojmë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme”.
Bashkë me Reformën Zgjedhore, Bylykbashi shton se duhet bërë edhe ndarja e re administrative, pasi sipas tij ndryshimet e miratuara nga mazhoranca në 2014-ën qenë të diktuara politikisht në favor të kësaj të fundit.
“Ndarja territoriale të mos jetë në funksion të fitores së zgjedhjeve të radhës dhe çdo ndryshim tjetër në interes të publikut ne jemi të gatshëm të përballemi sepse përndryshe statusquo e këtij raporti, nëse kjo do vazhdojë shqiptarët s’do prodhojnë rotacion me votën e tyre”.
E në funksion të zgjedhjeve të lira, Bylykbashi thotë se emergjente shihet edhe ndërhyrja në disa ligje, që forcojnë makanizmin e blerjes së votës në këmbim të vendeve të punës apo dhënies së lejeve e licencave.
“Dhe nevoja është t’i vendosim një pritë betoni të lartë, e na duhet t’i gjejmë zgjidhje këtyre problemeve, përndryshe asgjë s’kemi”.
Këto dy reforma janë cilësuar si jetike për opozitën, për të cilat nga Kuvendi Kombëtar Lulzim Basha paralajmëroi se do t’i kërkojë ato në Shtator./ Burimi: Tv Klan