Ditën e djeshme këngëtarja Fjolla Morina u vu në pranga nga Policia e Kosovës në lokalin e saj në Prishtinë pas një kohe të gjatë në arrati.
Ajo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare nën akuzën e trafikut të armëve.
Pas arrestimit të këngëtares ka folur për mediat kosovare avokati i saj, Fanol Krasniqi.
Ky i fundit është shprehur se Fjollës i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, teksa theksoi se këngëtarja është arrestuar në mes të lagjes në Prishtinë në mënyrë çnjerzore.
“Fjolla gjendet në masën e ndalimit sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Masë kjo me afat prej 48 orësh. Të mërkurën më datë 21.07.2021 e kemi seancën dëgjimore lidhur me praninë e të pandehurit gjatë procedurës së ekstradimit. Dmth të mërkurën seancë dëgjimore se a mundet Fjolla Morina të arratistet nga procedura e ekstradimit apo jo”, tha Krasniqi, raporton “Reporteri”.
Avokati Krasniqi njoftoi se prokuroria ka kërkuar ekstradimin e saj në Shqipëri, por që ende nuk ka dokumentacion për këtë.
“Fjolla Morina akuzohet për vepra penale “Trafikim me armë”, por ne nuk kemi kurrëfarë dokumentacioni apo urdhërese lidhur me këtë ndalim, kërkesat besoj do i marrim të mërkurën gjatë seancës dëgjimore. Vlen të theksojmë se kundër Fjolla Morinës nuk është vendimi i formës së prerë, Gjykata e Kuksit Fjolla Morinës i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vite. Kundër atij vendimi avokati i Fjolla Morinës ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Shkodrës edhe ky vendim prej 6 vitesh nuk është vendim i ekzekutueshëm.
Ne nuk kemi informacion se mbi cilin vendim apo mbi cilën urdhëresë kërkohet ekstradimi i Fjolla Morinës ku ndaj saj nuk ekziston një vendim i formës së prerë”, tha ai.
“Fjolla Morina është arrestuar në mënyrën më çnjerëzore të mundshme, pasi këngëtares i dihet adresa e banimit. Morina nuk është thirrur paraprakisht që të intervistohet apo ti tregohet arsyeja e arrestimit. Ajo është arrestuar para të gjithë lagjes” shtoi ai ndër të tjera.
Kujtojmë se këngëtarja nga Kosova, Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator 2020 në pikën kufitare të Morinës, pasi në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me 23 fishekë, ndërsa na bagazhin e makinës iu gjet një tjetër pistoletë e llojit çakmak. Këngëtarja po udhëtonte me një makinë “Audi Q7”.
Bashkë me këngëtaren u arrestuan edhe biznesmeni Fisnik Syla dhe shoferi i saj Fitim Muji.
Morina u mbajt në arrest shtëpiak në Kukës për një muaj, ndërkohë vetëm në prill të këtij viti Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës ka depozituar vendimin për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.
Ajo u dënua në 25 mars nga Gjykata e Kukësit me 9 vite burgim, që pas zbritjes së 1/3 prej gjykimit të shkurtuar u bënë 6 vjet./Opinion.al