Shuhet shkrimtari disident Uran Kostreci!
Lajmin është bërë i ditur nga kryetari i Shoqatës Antikomuniste e Ish-të Përndjekurve, Nebil Çika, teksa e ka cilësuar si “Legjendën e qendresës antikomuniste”.
“Shuhet Uran Kostreci !Me pikëllim të thelle jo njoftojmë se legjenda e qendresës antikomuniste Uran Kostreci ndërroi jetë sot . Në emër tim dhe të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë ju shpreh ngushëllimet familjarëve miqve bashkëvuajtësve dhe bashkëluftëtarëve të tij. Qofsh i parajsës kampion i qendrës dhe asketi i lirisë”, shkruan Çika.
Uran Kostreci ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare. Ai lindi më 29 janar të1938-s në Sarandë dhe jetonte në Tiranë. Ishte autori i veprave “Epopeja e Karkalecëve”, ”Tradhti” dhe “Sonete”.
Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet.
Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981.
Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm.
Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty sepse e mësoi përmendësh.