Epidemiologët besojnë se vala e tretë e Covid-19 në Shqipëri u përmbyll me Shkurtin, një muaj rekord për rastet e infektimeve të reja dhe viktimat.
“Normalisht mund të themi se kemi kaluar valën e tretë. Ditët e fundit, fatmirësisht numri i rasteve ka filluar të ulet dhe unë do të prisja që në Mars ky numër të vazhdojë të ulet. Koha po hapet, njerëzit nuk do të qëndrojnë më në ambiente të mbyllura, do fillojnë të dalin, shtëpitë ajrosen më shumë…”
Megjithatë përhapja e koronavirusit tek moshat e reja shihet po aq problematike në vazhdim. 56% e infektimeve totale i përkasin moshës nën 50 vjeç, prej të cilëve 19% grupmoshës 30 deri 39 vjeç.
“Nga 25 deri në 35 vjeç është goxha në dominancë që ka filluar të rritet. Ndërkohë kemi dhe mjaft të shtruar në spital që janë në moshë të re. Të rinjtë ndërkohë janë dhe më pak të përgjegjshëm, në kuptimin që mendojnë se ne do ta kalojmë lehtë. Po ndërkohë kemi pasur edhe fatalitete dhe në moshën 18 vjeç”.
Përveç Tiranës, që përbën një vijë të kuqe, Covid-19 ka formuar vatra në të gjithë qytetet e vendit.
“Në Fier kemi goxha rritje të numrit të rasteve, kemi në Lezhë, kemi në Klos, në të gjitha rrethet e Shqipërisë, në Gjirokastër, në Korçë. Po ta shikosh me incidencën, të gjitha qytetet kanë raste pozitive”.
Në të tilla kushte epidemiologët kërkojnë një vëmendje të shtuar nga qytetarët sa i përket respektimit të protokollit të sigurisë./ Tv Klan