Kryeministri, Edi Rama, ishte në një inspektim këtë të hënë në godinën e re, grumbulluese e mbrojtëse të Arkivit Qendror Shtetëror në Shkozë.
Rama u shpreh se kjo godinë është projektuar sipas standarteve më të mira arkivore për të ruajtur biografinë e shtetit tonë.
Ndërkohë, nuk kanë munguar kritikat ndaj Partisë Demokratike, për të cilën Rama tha se kur ishte në qeveri, “e la për dekada në mëshirë të fatit memorien e dokumentuar te truallit shqiptar që nga shekulli VI dhe më pas e vetë shtetit shqiptar qysh nga 1912”.
“Pas 100 e kusur vjetësh edhe Shqipëria e ka më në fund infrastrukturën grumbulluese e mbrojtëse të Arkivit Qendror Shtetëror, sipas standardeve më të mira arkivore për të ruajtur biografinë e shtetit tonë. E tmerrshme se si për dekada e dekada, sidomos në vitet e Rrumpallës Demokratike, memoria e dokumentuar e truallit shqiptar që nga shekulli VI dhe më pas e vetë shtetit shqiptar qysh nga 1912 u la në mëshirë të fatit, në kushtet e një turpi të pashoq që është në fakt pasqyra e patriotizmit fals të atyre që atdheun e trajtuan vetëm si avaz propagandistik e si plaçkë pushteti…”, thotë Rama.
Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivit, Ardit Bido gjatë inspektimit, u shpreh se kjo është vetëm faza e parë dhe godina e parë e projektit. Ai u shpreh se janë dhe 2 godina të tjera në pritje për tu rikonstruktuar. Të dy godinat, në Tiranë dhe e reja në Shkozë kanë një kapacitet prej 75 mijë kutish ku ruhen dokumente të shtetit shqiptar./ Opinion.al