Vijon të rritet bilanci i tragjedisë së tërmetit në Turqi.
Mbi 800 persona janë plagosur nga tërmeti që ndodhi më 30 tetor, që rrënoi objekte dhe shkaktoi një cunami të vogël.
Zyrtarët në Turqi thanë se 35 persona kanë vdekur dhe mbi 700 të tjerë janë plagosur në qytetin Izmir – qyteti i tretë më i madh në Turqi që ka një popullsi prej pothuajse tre milionë banorësh.
Zyrtarët grekë thanë se dy adoleshentë u vranë në Samos pasi u goditën nga një mur që kolapsoi.
Ekipet e shpëtimit në Izmir thanë se edhe 180 persona vazhdojnë të jenë të bllokuar nën rrënoja të ndërtesave.
Të paktën 20 ndërtesa janë shkatërruar në Izmir, thanë autoritetet, teksa ekipet e shpëtimit kanë vazhduar punën edhe përkundër faktit se ka pasur edhe lëkundje të tjera të tokës.
Agjencia për katastrofa në Turqi ka thënë se në këtë zonë janë regjistruar edhe 470 lëkundje të tjera.
Në qendër të Izmirit, ekipet e shpëtimit kanë arritur që të shpëtojnë një nënë dhe katër fëmijët e saj, të cilët gjenden të bllokuar në rrënojat e një ndërtese, raporton Reuters.
Autoritetet turke kanë thënë se kanë përfunduar operacionet e shpëtimit në tetë ndërtesa, ndërkaq operacionet po vazhdojnë edhe në nëntë lokacione.