19-vjeçari që qëlloi me armë katër ditë më parë në drejtim të makinës ku udhëtonte Mentor Hasanaj, Drejtori i Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe është vetëdorëzuar.
Ilirjan Hasanaj prej disa ditësh ishte në kërkim nga policia, por ai u vetëdorëzua pas negociatave të bëra me babain e tij.
Mësohet se 19-vjeçari ka shkuar në polici i shoqëruar bashkë me një kushëririn e tij, Verzan Bajrakurtaj, i cili dyshohet se e ka ndihmuar për të kryer atentatin.
Drejtori i Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe, Mentor Hasanaj mbeti i plagosur sëbashku me të atin teksa udhëtonte me makinën e tij. Bashkë me dy të plagosurit, udhëtonte edhe bashkëshortja e Hasanajt e cila nuk pësoi dëmtime.
Ngjarja ndodhi rreth mesditës së 11 tetorit, teksa shefi i policisë po drejtonte automjetin tip “Skoda” në pronësi të policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe.
19-vjeçari është djali i Arben Hasanaj, ish-polic i Kufirit në Shkodër. Pas ngjarjes mësohet se babai është angazhuar për të gjetur të birin ndërsa i ka bërë thirrje të dorëzohet në polici.
Ish-polici Arben Hasanaj jeton prej vitesh si emigrant në Britaninë e Madhe. Ndonëse ka të njëjtin mbiemër me shënjestrën (Mentor Hasanaj) mësohet se ata nuk kanë lidhje farefisnore me njëri-tjetrin. Nuk dihet ende shkaku që e ka shtyrë të riun të qëllojë me armë drejt shefit të bluve.