Naftëtarët e Ballshit ndodhen sot në ditën e 7 të grevës së urisë. Mësohet se gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar për shkak se prej një jave ata refuzojnë ushqimin dhe ndihmën mjekësore. Naftëtarët shprehen se nuk do të heqin dorë nga greva e urisë, pasi nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të siguruar bukën e gojës.
Naftëtarët e Ballshit janë futur në grevë urie, pasi kërkojnë rifillimin e punës dhe pagat e prapambetura. Pas mbylljes së rafinerisë që administrohet nga “Tosk Energji”, janë më shumë se 800 punëtorë që kanë mbetur pa punë.
Disa javë më parë ata protestuan edhe para ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe kërkuan takim me ministren Balluku, por kjo e fundit nuk i priti në zyrë. Ndërkohë nuk ka ende një reagim institucional mbi kërkesat e naftëtarëve.