Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut (KSHZ), ka shpallur të mbyllura votimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat janë zhvilluar nga ora 07.00 deri në orën 21.00.
Sipas KSHZ-së, pjesëmarrja në votime deri në orën 20.30 është 50.86 për qind, e që sipas kryetarit të KSHZ-së, Oliver Derkovski, do të jetë për një ose dy për qind më e lartë pas numërimit të daljes edhe për 30 minutat e fundit.
Sipas të dhënave të publikuara, pjesëmarrja më e lartë në votime ka qenë në njësinë e katërt zgjedhore prej 59.79 për qind ndërsa më e ulët në njësinë e gjashtë zgjedhore, kryesisht me votues shqiptar, ku të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 39.23 për qind e votuesve.
“Mendoj se ne përgjithësi mund të jemi të kënaqur nga pasqyra që kemi për këtë proces zgjedhor”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook se zgjedhjet ishin të qeta.
“Pavarësisht se cili do të fitojë, pres që të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor t’i urojnë njëri-tjetrit, siç i takon një vendi demokratik”, ka shkruar Pendarovski.
Këto janë zgjedhjet e dhjeta parlamentare dhe të parat në kushte të pandemisë me protokolle të veçanta shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi i ri që shkakton sëmundjen COVID-19.
Në Maqedoninë e Veriut u votua në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilën prej tyre zgjidhen nga 20 deputet.
Fushata zgjedhore u shënua nga premtimet ekonomike për paga dhe pensione më të larta, projekte të infrastrukturës si dhe mesazhe nacionaliste dhe lëshim pothuajse të përditshëm të regjistrimeve të paligjshme audio dhe video, në të cilat aktorët politikë dyshoheshin se ishin kapur në biseda të dyshimta për krim dhe korrupsion. Akuzat janë zhvilluar kryesisht mes VMRO-së dhe LSDM-së.
Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut ishin paralajmëruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev, që në dhjetor të vitit 2019 pasi ky vend arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut.