Irani ka lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti dhe i ka kërkuar ndihmë Interpolit për të vënë në pranga presidentin amerikan, Donald Trump, dhe dhjetëra persona të tjerë lidhur me sulmin me dron që vrau gjeneralin e lartë iranian në Bagdad.
Lajmi u konfirmua nga prokurori i Teheranit, Ali Alqasimehr, i cili u shpreh se kreu i Shtëpisë së Bardhë dhe më shumë se 30 persona të tjerë, të cilët Irani i akuzon për përfshirje në sulmin e 3 janarit ku mbeti i vrarë gjenerali Qassem Soleimani, përballen me akuza për ‘vrasje dhe terrorizëm,’.
Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, raportoi se Alqasimehr nuk identifikoi askënd tjetër përveç Trumpit, por theksoi se Irani do të vazhdojë ta ndjekë çështjen edhe pasi mandati i tij të ketë përfunduar.
Kujtojmë se mëngjesin e 3 janarit, miliona njerëz u zgjuan me lajmin se SHBA-ja kishte urdhëruar vrasjen e e komandantit të lartë ushtarak iranian, Qassem Soleimani.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se ai e urdhëroi vrasjen e gjeneralit për të ndaluar luftën, jo për ta nisur atë ndërsa nga ana tjetër Irani u zotua për hakmarrje të ashpër./Opinion.al