Ditën e sotme presidenti Ilir Meta ka kthyer një tjetër ligj për rishqyrtim në Kuvend. Bëhet fjalë për ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.
Meta argumenton se Kuvendi duhet të rishikojë me kujdeset për të gjitha risqet që lidhen me aktivitetet e paligjshme të pastrimit të parave. Ndërkohë,duhet theksuar se ky ligj ka të bëjë me monedhat virtuale si Bitcoin, i cili është kritikuar dhe në shumë shtete të tjetra.
Meta shprehet se; “Kuvendi duhet të analizojë me kujdes në kushtet aktuale të ekonomisë së vendit tonë dhe në raport me kapacitetet për ushtrimin e kontrollit efektiv, të gjitha risqet që lidhen me paqëndrueshmërinë, natyrën e decentralizuar, kërcënimet e perceptuara ndaj sistemeve monetare aktuale dhe hapësirave që mund të krijohen për zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme të pastrimit të parave përmes aktiviteteve tregtare virtuale. Kuvendi gjithashtu duhet të ketë në vëmendje që ky ligj, duke mos përcaktuar mekanizma për parandalimin e shmangies fiskale, rrezikon të çojë në dëm të konsiderueshëm në financat e shtetit, në cenim të interesit publik”
Meta thekson gjithashtu se një ligj i tillë, rrezikon të cenojë interesin publik: “Ndaj një nismë e tillë, e miratuar pa një vlerësim të thelluar të kushteve ekonomike dhe rregullatore të vendit, që nuk synon të përafrojë asnjë rregullore apo direktivë, rrezikon të cenojë interesin publik në tërësi, për shkak se prek shumë aspekte të jetës dhe veprimtarisë së përditshme”.