Nga zona e Plazhit në Durrës, ku ishte në një takim me banorët e prekur nga tërmeti, kreu i opozitës Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë se ka dështuar në menaxhimin e situatës “post tërmet”.
“Tërmeti i 26 nëntorit nxori në pah Shqipërinë e vërtetë, të varfër dhe të vjedhur, nxori në pah paaftësinë dhe abuzimet e qeverisë që gjithë vëmendjen ua kishte kushtuar fasadave dhe projekteve me përfitues 10 oligarkë. Sot ndihet edhe më shumë dështimi i qeverisë për të menaxhuar situatën pas tërmetit e po kështu edhe neglizhenca kriminale pas tërmetit të 21 shtatorit ndaj objekteve të dëmtuara që sollën humbje jetësh njerëzore. Në më shumë se dy javë që nga dita e tërmetit, familje të tëra nuk kanë marrë ende asnjë ndihmë, edhe në rastet kur kanë qënë me fat, u është dashur të presin me orë të tëra apo të sorollaten nëpër zyra për të marrë “ kuponin”, ka thënë kreu i PD-së.
Sipas tij në shumë raste, shpërndarja e ndihmave është bërë në mënyrë selektive për miq e kushërinj dhe me preferenca partiake.
“Nëse nuk do të ishte ndihma e vullnetarëve, mjaft familje nuk do të kishin as buke për fëmijët e tyre. Shumë familje janë jashtë dhe pa asnjë ndihmë në këtë të ftohtë. Qytetarët thonë se nuk i njohin personat e ngarkuar për situatën, ndërkohë që nuk ka asnjë informacion për fondet e vëna në dispozicion për emergjencën. Asnjë transparencë, se kur do të nisë rikonstruksioni i banesave të dëmtuara , si do të bëhet, fondet e akorduara, e shumë pyetje të tjera pa përgjigje”, thekson ai.
Po ashtu kreu i opozitës ka kërkuar nga qeveria një bilanc të qartë: sa banesa janë dëmtuar, sa pallate janë shpallur të pabanueshëm, sa qytetarë kanë mbetur të pastrehë, sa qytetarë janë strehuar në hotele dhe sa janë ende në qiell të hapur, cila është lista e objekteve të dëmtuara dhe për të cilat deri më tani ka vendim për prishje, cilat janë shkollat e dëmtuar dhe kur ishin ndërtuar apo rikonstruktuar ato./ Opinion.al