Partia Demokratike ka reaguar pas shpalljes së pafajshëm të Suel Çelës ditën e sotme nga Krimet e Rënda.
Në postimin e publikuar nga PD shkruhet se me lirimin e Çelës iu dha mesazhi shqiptarëve se ‘kriminelët e pushtetit, ata që blejnë vota për karrigen e Edi Ramës janë të paprekshëm’.
“Duke shpallur të pafajshëm kriminelët e pushtetit, rrëzohet çdo iluzion për drejtësinë e pavarur. Të gjithë e kanë mësuar se drejtësia është plotësisht në dorën e Edi Ramës dhe të krimit. Vendi ka nevojë jetike për ndarjen e politikës nga krimi, ka nevojë për zgjedhje të lira, të pandikuara nga kriminelët, si dhe për një qeveri të re, që e ka fatin të lidhur me qytetarët dhe jo me kriminelë.”-shkruhet në deklaratën e Partisë Demokratike.
Suel Çela u akuzua si personi, i cili me makinën e tij tip “Audi” goditi në 18 shtator të 2017 në hyrje të Tregut Agroushqimor, makinën e policisë, duke vënë në rrezik jetën e zëvendësdrejtorit të qarkut Gjergj Oshafi dhe disa oficerëve të tjerë. I gjithë incideniti është filmuar nga kamerat e sigurisë që ndodheshin në zone.
Ndërkohë dy personat e tjerë të përfshirë në këtë çështje Klement Xhaferrit dhe Enea Bekteshit u dënuan përkatësisht me 5dhe 6 vite burg.
Deklarata e Plotë i Partisë Demokratike:
Shpallja i pafajshëm i banditit të rrezikshëm të Elbasanit Suel Çela, shërbëtor i pushtetit të Edi Ramës, provoi në mënyrë të përsëritur se me Edi Ramën në qeveri drejtësia nuk është e lirë të ndëshkojë krimin.
Mesazhi që iu dha sot shqiptarëve është se kriminelët e pushtetit, ata që blejnë vota për karrigen e Edi Ramës janë të paprekshëm!
Kur kriminelët vjedhin zgjedhjet për Edi Ramën, kur bëjnë drogë me lejen e pushtetit të Edi Ramës, kur godasin policinë dhe e çnderojnë atë me mbrojtjen e Edi Ramës, drejtësia është e pafuqishme të bëjë drejtësi.
Duke shpallur të pafajshëm kriminelët e pushtetit, rrëzohet çdo iluzion për drejtësinë e pavarur. Të gjithë e kanë mësuar se drejtësia është plotësisht në dorën e Edi Ramës dhe të krimit.
Vendi ka nevojë jetike për ndarjen e politikës nga krimi, ka nevojë për zgjedhje të lira, të pandikuara nga kriminelët, si dhe për një qeveri të re, që e ka fatin të lidhur me qytetarët dhe jo me kriminelët./Opinion.al/