Mesa duket nuk kanë të mbaruar problemet me gabimet gramatikore të grupit të deputetëve të Parlamentit që morën mandatet e lëna të Partisë Demokratike dhe LSI-së.
Instituti i Studimeve Politike ka publikuar dokumentin e një nisme ligjore të dërguar këto ditë në Kuvend nga 20 deputetë të opozitës parlamentare.
Propozimi ka rreth 200 fjalë por ka më shumë se 200 gabime drejtshkrimore. Ndër to ISP identifikon mospërdorimin e shkronjës “ë”, shkrimi gabim i fjalës projektligj, përmendja e funksioneve të cilat nuk ekzistojnë ose janë emëruar gabim.
“në vend të përcaktimit “Forcat e Armatosura” përmendet “ushtri”, përmendet “shkollat e larta politike të PPSH” kur në Shqipëri nuk ka pasur kurrë shkollë dhe as emërtim të tillë, trajton ish anëtarë e bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete të shteteve ish anëtare të Traktatit të Varshavës, – informacion që nuk e ka dhe nuk mund ta ketë shteti shqiptar”
Kjo është e disata herë në pak kohë që deputetët “e rinj” në Parlament tregojnë mungesë të kompetencave gjuhësore si në shkrim dhe në lexim. Një nga rastet që u bë viral në media ishte fjalimi i deputetes Majlinda Halili e cila rezultoi se edhe atë ja kishte vjedhur ish-deputetes Jorida Tabaku. Problemet gramatikore nuk janë i vetmi që ka shoqëruar mandatin e këtyre deputetëve por ka patur disa raste të mungesës së informacionit juridik (rasti kur deputeti Alimadhi i konsideroi marrëveshjet ndërkombëtare si udhëzuese) dhe të rregullores së Kuvendit.
Postimi i plotë i ISP
Përfaqësimi parlamentar nuk është vetëm formal, – votim në seancë, fjalime, debat e replika. Ai duhet të jetë edhe aktivitet përmbajtjesor, akt solemniteti, përgjegjësie, aftësie dhe vizioni për të treguar se të jesh në politikë do të thotë, ke diçka për të dhënë për vendin, ke merita dhe ke potencial për vendimmarrje. Shumicën e këtyre cilësive nuk i kemi pasur prej kohësh dhe as nuk i kemi në parlamentin aktual. Dhe kur mungojnë ato, atëherë kërkohet minimumi i standardeve, – së paku të jenë formalisht korrekt me “vendin e punës”. Po cili është niveli parlamentar dhe cilat janë standardet aktuale parlamentare? Ka shumë tregues dhe sot po sjellim një prej tyre, – nismën ligjore të depozituar këto ditë nga 20 deputetë në parlament. Është një propozim me më pak se 200 fjalë dhe në to, më me shumë se 200 gabime ortografike. Mirë që nuk përdoret rregullisht germa “ë” apo që ka gabime drejtshkrimore në tekst, por aty ka emërime përmbajtjesore të gabuara.
Për shembull, mungon emërtimi i draftit ligjor, mungon referimi i saktë në bazën ligjore, vetë emërtimi “projektligj” ka një germë të munguar, janë përmendur funksione që nuk ekzistojnë apo disa funksione janë emëruar gabim, si p.sh, në vend të përcaktimit “Forcat e Armatosura” përmendet “ushtri”, përmendet “shkollat e larta politike të PPSH” kur në Shqipëri nuk ka pasur kurrë shkollë dhe as emërtim të tillë, trajton ish anëtarë e bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete të shteteve ish anëtare të Traktatit të Varshavës, – informacion që nuk e ka dhe nuk mund ta ketë shteti shqiptar; etj, etj.
Pyetja më e rëndësishme nuk lidhet me emrat e deputetëve nënshkrues, sepse shumica absolute e deputetëve nuk i lexojnë aktet ku firmosin dhe për më tepër, nuk i hartojnë ato. Pyetjet janë më komplekse: a mund të jetë ky niveli i politikës vendimmarrëse dhe shtetit shqiptar më 2019? A mund të jetë ky një draft ligjor në parlament? A është ky niveli i politikës shqiptare dhe institucionit të saj më të rëndësishëm kushtetues e përfaqësues? A kanë njohuri deputetët nga ligjet, nga rregulloret, nga institucionet dhe mbi të gjitha, nga rregullat formale e zyrtare të përdorimit të gjuhës shqipe? A ka parlamenti ekspertë e staf profesional që i shpreh nismat politike në akte të shkruara ligjore? Në emër të pushtetit që kanë, a duhet që publiku të pranojë si akt zyrtar e shtetëror çdo gafë/çdo produkt që vjen nga politika? /Opinion.al