Zbulohet emri i ish-zyrtarit të ALUIZNI-t, të cilit policia me vendim gjykate i bllokoi 1.5 milionë euro pasuri, të dyshuara se janë përfituar nga burime të paligjshme.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për Ferdinant Shehun, i cili ka qenë kreu i ALUIZNI-t për rajonin e Tiranës. Ai u shkarkua nga detyra në vitin 2011, detyrë të cilën ia kishin ngarkuar në vitin 2010.
Ndërsa në periudhën 2006-2010 ai mbajti postin si zëvendësdrejtor i Përgjithshëm pranë Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. Shkak për shkarkimin nga detyra e Shehut ishte mungesa e integritetit personal.
Lajmi i shkarkimit në atë kohë është dhënë nga përfaqësuesja e ALUIZNI-t, Shpresa Muha, e cila atëherë theksoi se Shehu ka mashtruar organet emëruese, duke mos deklaruar 4 vjet punë që ka bërë në hetuesinë e Vlorës.
Referuar dokumenteve, nga ana e ALUIZNI-t bëhen me dije dy detaje të jetëshkrimit të ish-drejtorit të zyrës rajonale të Tiranës, të cilat nuk figuronin të shkuara në CV.
“Përmes manipulimeve në jetëshkrim, duke lënë jashtë tij një eksperiencë pune 4-vjeçare si hetues, në hetuesinë e rrethit të Vlorës (Urdhri nr.8, datë 22.8.1988 i Hetuesisë së Përgjithshme). Pa përfshirë këtu periudhën njëvjeçare të kryerjes se kursit, pranë Hetuesisë së Përgjithshme, gjithashtu e “fshirë” nga jetëshkrimi”.
Nga hetimet ka rezultuar se Shehu kohët e fundit, nëpërmjet një banke private, ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat./ Opinion.al