Ish-ministri i Ekonomisë dhe i Financave Arben Malaj, i cili u përmend nga lideri republikan Fatmir Mediu si një nga kandidatët që do të bënte pjesë në qeverinë tranzitore, ka mohuar se ekziston një propozim i tillë.
Malaj tha për A2CNN se “nuk merrem me supozime, në kohën e caktuar probabiliteti që të përgjigjem po ose jo është i barabartë”.
Sipas Malajt ajo është zgjidhja më e mirë, por nëse arrihet ky dialog, ai do të ndërtohet “mbi gërmadhat e shpresave të vrara të shqiptarëve”
Skenari i qeverisë tranzitore për ekonomistin e shquar nuk është thjesht hipotezë, por një marrëveshje që tashmë po konkretizohet.
Ai e shpjegon atë në tre faza. “Do arrihet fillimisht një marrëveshje që zgjedhjet vendore të shtyhen pak. Hapi i dytë do të jetë krijimi i një qeverie tranzitore, që nuk do të zgjasë deri në zgjedhjet e 2021, por deri në zgjedhjet e parakohshme, dhe duket që palët kanë rënë dakord që kur të arrijnë marrëveshjen për zgjedhjet vendore të kenë caktuar edhe datën e ardhshme. Periudha nga zgjedhjet vendore tek ato parlamentare i jep kësaj qeverie transitore mandatin për një reforme politike”.
Po në qoftë se një marrëveshje ekziston në tryezë, pse palët duket sikur janë në përballjen e tyre më të ashpër? Malaj e shpjegon me atë që quan game theory. “Asnjë nuk e tregon marrëveshjen deri ditën që ajo do të formatohet në të tre elementët”. Arsyja? “Maksimizimi i përfitimit të palëve”,-tha Malaj./ Opinion.al E.Xh.