Pas deklaratës zyrtare të Universitetit Bujqësor të Tiranës, se pranonte dhe mbështeste ndërtimin e shkollës në Kodër-Kamëz në territorin e fidanishtes, ka reaguar kryebashkiaku Erion Veliaj. Ai thotë se ky vendim është një fitore e arsyes, ndërsa ka shtuar se përfshirja e politikës në jetën akademike është ende kërcënim për shoqërinë.
“Përshëndes vendimin e UBT për të mos penguar më shkollën “Nënë Tereza” në Kodër-Kamëz, një triumf i arsyes mbi histerinë politike! Por përfshirja e politikës në punë komunale & jetë akademike është ende një kërcënim për shoqërinë tonë! Beteja me dhëndurë e kunetër vazhdon”, shkruan Veliaj në Twitter.
Rektorati i Universitetit Bujqësor të Tiranës e ka quajtur sot ndërtimin e shkollës në Kodër-Kamëz si një domosdoshmëri për komunitetin. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i Senatit Akademik të UBT-së ka thënë se përgjatë këtyre ditëve, informacionet e shpërndara nga mediat nuk kanë qenë të sakta, pasi rektorati nuk ka qenë asnjëherë kundër ndërtimit të një shkolle që do t’i vijnë në ndihmë komunitetit./Opinion.al