Ndonëse protesta e studentëve është zhvendosur në ambjentet e fakulteteve dhe bojkoti vijon, Universiteti i Tiranës ka vendosur të nisë mësimin normal por edhe zëvendësimin e orëve të humbura.
Në një mbledhje në Rektorat është përcaktuar edhe mënyra. Sipas vendimit për pesë javë rresht, studentët do të bëjnë mësim edhe në fundjavë.
“Në mbledhjen e rektoratit të datës 08.01.2019, u mor në konsideratë situata mësimore pas përfundimit të protestës studentore, e cila u zhvillua nga data 10-21 dhjetor 2018, pra, 10 ditë mësimore. Pas diskutimeve të shumta për të mos prishur strukturën vjetore, Rektorati vendosi që mësimi të plotësohet ditën e shtunë dhe të diel për 5 javët në vazhdim, pra, deri më 10 shkurt 2019.
Regjistri të plotësohet në periudhën e ndërprerjes së mësimit gjatë dhjetorit. Ditën e shtunë dhe të diel të javës së parë do të zhvillohet mësimi i dy ditëve të hëna e me radhë”, thuhet në njoftimin e FEUT.