Një 25-vjeçar me origjinë nga Dibra ka masakruar me thikë prindërit e tij të moshuar ditën e djeshme, ndërsa sot mësohen të tjera detaje e dëshmi të fqinjeve. Të plagosur mbetën 75-vjeçari Destan Neziri dhe 64-vjeçarja Hasije Neziri. Autori i krimit Hajri Neziri është arrestuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bënë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:45 të ditës së mërkurë në lagjen nr. 17 (në zonën e ish-Kënetës).
Fqinjët e kësaj familjeje deklaruan për “Gazeta Shqiptare” se kanë parë tmerr me sy dhe se banesa e çiftit Neziri si dhe rrugica janë larë me gjak. Gjithashtu, fqinjët u shprehën se kanë dëgjuar ulërimat dhe thirrjet e dy të moshuarve, të cilët kishin dalë zvarrë nga banesa e tyre dhe kërkonin ndihmë.
Mësohet se 64-vjeçarja Hasije Neziri është goditur 6 herë me thikë në bark. Ndërsa bashkëshorti 75-vjeçar, Destan Neziri ka marrë një goditje thike në qafë (plagë e rëndë) dhe një në fytyrë. Pas krimit, autori Hajri Neziri është larguar së bashku me vajzën me të cilën bashkëjetonte prej disa kohësh.
Burime për “GSH” thanë se 25-vjeçari është paraqitur i lënduar (shoqërohej nga bashkëjetuesja) në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa është lajmëruar policia, e cila e ka arrestuar. Aktualisht ai po merr mjekim për lëndimet që ka në trup (dyshohet nga konflikti me prindërit), ndërsa më pas do të transferohet në Durrës nga policia për t’u marrë në pyetje. Nga të dhënat paraprake, ka dyshime se pjesë e konfliktit të ketë qenë edhe dashura e 25-vjeçarit. Ndonëse ngjarja është ende e paqartë, ka dyshime se prindërit nuk ishin dakord për lidhjen e dy të rinjve. Sakaq, policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Unë isha në ballkon, kur pashë Hajriun që doli nga banesa bashkë me vajzën me të cilën bashkëjeton. Më bëri përshtypje se vajza e kishte njërin krah të bluzës gjithë gjak. Më pas pashë Hajriun që hodhi thikën, me të cilën kishte goditur prindërit. Fillimisht nuk dija se çfarë kishte ndodhur. Vetëm pak çaste më pas, dëgjova ulërimat e bashkëshortëve Neziri. Ata kishin dalë nga banesa të mbuluar në gjak dhe po kërkonin ndihmë. Gjithë rrugica ku ecën ata u mbulua me gjak. Dolëm menjëherë, gjetëm një makinë dhe i çuam në spitalin e Durrësit”, pohoi një tjetër fqinje e familjes Neziri.
Kjo e fundit tha se Hajriu është djali i vogël i familjes, ndërsa fëmijët e tjerë të bashkëshortëve Neziri janë emigrantë në Itali. “Hajriu ka qenë djalë i urtë, i sjellshëm. Nuk e di pse i masakroi prindërit e tij. Kohët e fundit ai bashkëjetonte me një vajzë. Mbase sherri ka marrë shkas nga ajo. Mbase prindërit e tij nuk donin që ai të lidhej me vajzën”, thanë fqinjët e 25-vjeçarit. Ndërkaq, një tjetër fqinj u shpreh se: “Hajriu ishte i papunë. Gjithashtu edhe vajza me të cilën bashkëjetonte ishte e papunë. Mbase ata u hanin lekët e pensionit dy pleqve dhe këta të fundit i kanë thanë djalit që të dilte nga banesa dhe ta ndërtonte jetën e tij vetë”.