Ka nisur shqyrtimi në KQZ për heqjen e mandateve të deputetëve Aqif Rakipi (PDIU) dhe Gledion Rehovica (LSI). Ky i fundit është i pranishëm në mbledhje bashkë me avokatin, ndërsa mungon Rakipi i cili përfaqësohet vetem nga avokati. Të dy deputetët nuk deklaruan në formularin e Dekriminalizimit që janë ndaluar nga policia italiane. Si dhe nuk deklaruar emrat e rreme që kanë përdorur jashtë vendit.
Në nisje të mbledhjes, anëtari i LSI në KQZ, Gëzim Veleshnja tha se kërkojmë informacione shtesë nga prokuroria pasi për herë të parë ndeshemi me termin “raportim policor”. Në një stacion policie mund të shkojnë shumë raportime brenda ditës më pas vendoset nëse do të ketë procedime. Në pjesën e dytë të akuzës thuhet ‘të dhënat e përcjella nga drejtësia italiane, por nuk thotë kujt institucioni i referohet’. Sqarimi i këtyre dy momenteve është shumë me rëndësi, theksoi ai.
Kjo kërkesë është mbështetur nga nënkryetari i KQZ, përfaqësuesi i PS, Denar Biba i cili tha se duhet të shtyhet mbledhja. “Ne po bëjmë procedurat, sepse nuk kemi procedura. Edhe ligji përkatës nuk parashikoi procedura, ne jemi organi vendimmarrës. Na duhet të vendosim për kërkesën e kolegut Veleshnja”./Opinion.al