Kjo javë në emisionin “Opinion” ka qenë tepër intensive, për shkak edhe të zhvillimeve që vijnë nga aktualiteti. Por edhe në paraqitjen e të ftuarve kanë dominuar ngjyrat e errëta dhe pak më të rralla janë shfaqur edhe tonalitetet e hapura.
Ka nisur me “shqetësimet e të rinjve” ku panelet janë ndërtuar me të rinjtë që vinin nga fusha të ndryshme. Ajo që u vu re ishte thjeshtësia në veshjet e tyre. Ngjyrat e hapura rreth të bardhës dhe grisë, tendencat e kësaj vjeshte. Këmisha dhe xhinse tek çunat dhe deri tek fustanet e vajzave. Desli Shahini, Sara Kolami, Barbara Doda ishin veshur me fustane, me pak grim dhe krehje të flokëve tepër thjeshtë. Por ka patur edhe më thjeshtë se kaq! Atlete dhe pantallona kanë veshur të ftuarat e tjera Vilma Beqja dhe Floida Kerpaçi. Por një gjë vihet re fare lehtë, ne studio dominonin ngjyrat e hapura, fiks për moshën e të ftuarve.
Më pas ishte një emision i përbërë nga pedagogë, ku u fol për “privatin apo shtetërorin”. E ku normalisht do të dominonin veshjet zyrtare dhe kostumet. Henri Cili, Olti Rumbullaku, Ermal Hasimja, Arlind Qori, Blerina Shkurti, të gjithë në ngjyra të errëta, por ajo që e kishte thyer paksa ishte Enriketa Papa e cila u shfaq në ngjyra të hapura në nuancat e jeshiles, gjithë të tjerët kanë qenë në veshje serioze e ndoshta ashtu siç ata rinë zakonisht para studentëve.
Kulmoi me të enjten, ku veç një sërë deklaratash të forta nga të dy liderët e partive opozitare Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, për tu veçuar ishin edhe paraqitjet e tyre. Monika Kyremadhi kishte veshur një fustan të zi, të mbyllur dhe për të dhënë më tepër prezencë ajo kishte bërë një kapje, e si gjithmonë nuk e kishte tepruar në make-up. Nga ana tjetër Lulzim Basha kishte veshur kostum në tonalitetet e blusë së errët, çka e kishte kombinuar në ngjyra edhe me kollaren dhe këmishën. Analistët dhe gazetarët e ftuar në panel si gjithmonë kanë qenë brenda formatit që kërkon emisioni dhe nuk ka patur asnjë eksperiment ne pamje nga ana e tyre.
Por ajo që ra në sy ishte se gazetari dhe drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu, është shfaqur me të kuqe, kombinim që kërkon guxim. Ai kishte veshur fanellën e Lorik Canës, pikërisht në intervistën që kishte përball këtij të fundit. Në shenj falënderimi, Fevziu u shfaq me fanellën e Lorik Canës, çka e kishte kombinuar po ashtu më pantallona të kuqe e deri tek këpucët të cilat kanë qenë po ashtu në këto ngjyra. Në tonalitetet të ndryshme Fevziu theu gjithë tendencën që të ftuarit kanë kur vijnë në “Opinion”, veshjen e ngjyrave të errëta. Por kombinim që tërhoqi vëmendjen ka qenë edhe ai i ish-kapitenit Lorik Cnana. Atlete, xhinse, këmishë të bardhë dhe jelekë në kafe të errët, një kombinim dhe thyerje ngjyrash tepër interesant dhe që Lorikut i shkonte shumë. Gerta Zaimaj /Opinion.al