Që prej fillimit të prillit dezinsektimi po kryhet e intervale 2 javore në të gjithë zonat bregdetare por edhe në kryeqytet. Procesi kryhet natën dhe qëllimi i tij është të pakësojë mushkonjat.
“Në zonën e Divjakës spërkatet me një preparat biologji që nuk është insekticid, ai vepron vetëm mbi larvat e mushkonjave dhe kryesisht ne e bëjmë për mushkonjën tiger”, thotë për Tv Klan Bektash Dervishi, specialist në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Lushnje.
Ndryshe nga tre vitet e shkuara kohë kur nisi dhe procesi i dezinsektimit me preparate biologjike, pushuesit ankohen se ndjejnë praninë e mushkonjave dhe pickimet e tyre bezdisëse.
“Mushkonjat dhe ariet janë ca të vogla shumë të bezdisura, janë shumë të hidhura, shumë të keqe. Me sprayt nga pak, kur ka ditë që ka vrull ,vëmë rrjeta në dritare…mbrohemi”, thonë qytetarët.
Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, sqarojnë se nuk bëhet fjalë për mushkonjat e zakonshme, por një tjetër insekt të ngjashëm që është riaktivizuar këtë vit.
“Bëhet fjalë për një lloj tjetër dipteri që është simulit. Është mjaft aktiv fillon zhvillimin e tij në muajin mars, dhe arrin kulmin gjatë qershorit dhe në fillim të korrikut. Këto janë insekte të cilat janë mjaft agresive, fluturojnë tufa dhe pickojnë në një mënyrë shumë shqetësuese, gjatë monitorimeve që kemi bërë në terren kemi konstatuar një rritje të numrit të simuliteteve”, thotë Enkelejda Dikolli, specialiste në ISHP.
Preparati biologjik që përdoret për të luftuar mushkonjat nuk ka asnjë efekt mbi këtë insekt pickues që shkakton edhe alergji.
Specialistët kanë kërkuar konsulence të huaj për të vënë nën kontroll simulitet.
“Kemi kërkuar ndihmë dhe kemi kërkuar që të kemi ekspertizë të huaj për të identifikuar dhe për të kaluar në masat e kontrollit të cilat janë të ndryshme nga ato që përdoren për mushkonjat pasi biologjia dhe cikli i zhvillimit të tyre është i ndryshëm”, u shpreh specialistja Dikolli.
Ndryshe nga mushkonjat që zhvillohen në ujëra të ndenjura, simulitet sipas specialistëve zhvillohen në ujëra të rrjedhshëm apo puseta uji.