Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” erdhi historia e një çifti, të cilët kanë 15 vite bashkë, kanë dy fëmijë dhe janë shumë të lumtur. Por çifti Florjan dhe Sonila Jaupaj i janë premtuar njëri – tjetrit që fëmijë. Mbas kaq vitesh martesë ai zgjodhi “Ka një mesazh për ty”, për t’i thënë diçka asaj publikisht. Historia e Florjanit nis që në vitin 1984, kur ishte vetëm 6 vjeç dhe nusja e tij Sonila 2 vjeçe. Babai i tij ishte shok me babain e Sonilës. Një ditë teksa pinin raki në shtëpinë e babait të saj, Hajdari i thotë Sejdinit që vajzën do t’ia marrë për djalin kur të rriten.
Këtë gjë ia tha edhe vetë Florjanit, po atë ditë që e kishte biseduar me Sejdinin. Të gjithë e thërrisnin si dhëndrri i Sejdinit edhe pse ishte vetëm 6 vjeç. Babai i tij kishte premtuar se sapo djali të mbushë 16 vjeç do ta fejonte me Sonilën. Por historia e kësaj familje mori një tjetër rrjedhë. Motra e Florjanit humb jetën tragjikisht në një aksident dhe pas disa kohësh kur ai ishte 15 vjeç, humb edhe babanë.
“Në vitin 2000 unë kam qenë në Itali për të punuar, pasi pas humbjes së babait m’u desh të punoja që në moshë fare të vogël. Gjatë gjithë kësaj kohe unë e ruaja nga larg Sonilën, kur ajo shkonte në shkollë, madje i kisha vënë edhe roje nga mbrapa në kohën kur isha në Itali. Një ditë më vijnë ndërmend fjalët e babait dhe dëshira që ai kishte që unë të martohesha me Sonilën. I them nënës, që të shkonte të pyeste tek shtëpia e Sejdinit për vajzën. Ndërkohë Sejdini i thotë se këtë amanet e ka ruajtur dhe priste që të kthehesha unë nga Italia. Unë më pas marr në telefon vjehrrin dhe i them që të bëhet fejesa ime edhe pse unë nuk isha i pranishëm. Në dhjetor të 2001 është bërë fejesa ime, ndërkohë unë isha në Itali. Një muaj para se të bëhej fejesa, unë flas për herë të parë me nusen në telefon dhe i them: Sonilë ti hallet e mia i di shumë mirë, që kam një nënë të vjetër dhe një vëlla të sëmurë. Prandaj nëqoftëse ti do të pranosh të kalosh jetën me mua dhe i merr parasysh këto gjëra, me mua do të kalosh shumë mirë. Ajo pranon pasi vetë familja e saj kishte folur mirë për mua. Bëhet fejesa dhe unazën ia vendos mamaja ime. Më pas në vitin 2002 është bërë dasma ime, por nuk e di sesi ma dha në atë moment dhe nuk ia kam vendosur unazën Sonilës. Vjehrrës i ngeli merak kjo gjë, gjithashtu edhe kunatës time dhe sot kam vendosur që t’ia dhuroj unazën publikisht.”
Por nuk ishte vetëm kaq surpriza që do t’i bëjë Florjani, Sonilës. Ai është një natyrë disi e ftohtë dhe fjalët e ëmbla i mungojnë në fjalorin e tij, por dashuria që ka për Sonilën është e madhe. Gjatë gjithë këtyre viteve bashkëjetesë ai mund t’i ketë thënë asaj “të dua”, tre ose katër herë. Ato asnjëherë nuk kanë dalë vetëm të dy, por gjithmonë kanë pasur njerëz të afërt rreth vetes.
“Unë sot nusen e kam thirrur për atë që ka bërë ndaj meje, ndaj familjes time, për një amanet që u krye.”
Stafi i “E Diela Shqiptare” kishte përgatitur një surpizë të bukur për Sonilën, që do ta mbaj mend gjatë në jetën e saj. Fjalë të ëmbla për të, dashuri pafund, të gjitha për Sonilën për ta bërë atë të ndjehej si një princeshë e vërtetë.
“Të kam sjellë sot këtu, meqënëse nuk ta kam shprehur asnjëherë dashurinë ashtu siç duhet. Dua të të them që të dua me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt!”
Sonilës i duket çdo gjë si në ëndërr nga ajo që pa në studion e “E Diela Shqiptare” në rubrikën “Ka një mesazh për ty”. Fuqia e fjalës “të dua” është e pakufijshme. Florjani i vë në gisht unazën Sonilës dhe ashtu siç e ka tradita, presin tortën dhe shijojnë shampanjën. /tvklan.al