Një ditë pasi Ilir Meta publikoi letrën që i kishte dërguar Nishanit për Klement Balilin, ku i kërkonte të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Edi Rama është shfaqur në dyert e Kryesisë së Kuvendit.
Zakonisht takimi konsultativ Rama-Meta bëhet ditën e mërkurë, pra një ditë para seancës plenare. Por duket se këtë javë më shumë se sa seanca plenare, Ramën e ka bërë të shkojë tek Meta kërkesa për Balilin. Edhe pse ky i fundit është përfolur si i LSI-së, Meta dje me kërkesën që i dërgoi Nishanit, la të kuptohet se për arrestimin e tij duhet te përgjigjet policia, madje duke e quajtur Balilin një rrezik kombëtar.
Nga ana tjetër Presidenti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Metës për të thirrur Këshillin Kombëtar. Klement Balili është personi më i kërkuar nga ndërkombëtarët në rajon për trafik ndërkombëtar droge. Sipas një dosje të përpiluar nga Greqia por që është mbështetur edhe në hetimet e DEA-s amerikane, Balili ka kryer trafik të lëndëve narkotike në sasira të mëdha.