Shkrimtari i njohur kosovar, Ramiz Kelmendi, ka ndërruar jetë të mërkurën, në moshën 86-vjeçare.
\Lajmin për vdekjen e Ramiz Kelmendit e ka dhënë gazetari Adriatik Kelmendi, nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social Facebook.
“Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, të dashur familjarë, miq e dashamirë, ju njoftoj se sonte u nda nga jeta axha im, që e kisha shumë më shumë se axhë, Ramiz Kelmendi, në moshën 86-vjeçare”, ka shkruar Adriatik Kelmendi.
Ramiz Kelmendi, përveç si shkrimtar, njihej edhe si publicist e gazetar. Ai ka shkruar disa romane, tekste shkollore, drama, e fejtone. Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Shtatë persona ndjekin autorin”, “Vija e vrragë” dhe “Abrakadabra”.
Ai botoi 12 vëllime me tregime, 8 romane, dhjetëra udhëpërshkrime, 3 radiodrama, 3 drama televizive, 39 tekste satirike, një skenar filmi, 4 tekste shkollore, monografinë “Shqipëria e Marije Shllakut”, dhe me mija shkrime publicistike natyrash të ndryshme.
Kelmendi njihej edhe si një nga përkthyesit më produktiv të Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Gjatë viteve ’70 – ’80 ka përkthyer nga serbishtja kryeveprat e autorëve si Orwell, Markes, Kafka, Kundera, Grass, Castaneda, Sabato, Krleza, Kis, etj.