Avokati i ish-Drejtorit të Burgut në Durrës, që u arrestua ditën e sotme në lidhje me lirimin nga burgu të Lulzim Berishës, ka deklaruar se arrestimi i tij ka të bëjë me një prapavijë të qartë politike.
Ahmet Cani, avokat i ish-drejtorit Astrit Kotaj, ka theksuar se arrestimi është i jashtëligjshëm, pasi nuk është detyra e tij funksionale sipas ligjit dhe rregullores së brendshme të institucioneve të ndjekë dinamikën e vuajtes së dënimit të të burgosurve.
Cani tha se Kotaj ka qenë ditën e djeshme, në Prokurorinë e Durrësit, ku ka dhënë çdo shpjegim të kërkuar.
Ndër të tjera, ai bëri me dije se Prokuroria në mënyrë të fshehtë ka kërkuar pranë Gjykatës marrjen e masës me arrest, kur kjo gjë ndodh, vetëm në rastet se personi i fshihet drejtësisë ose nuk gjendet.
“Lulzim Berisha është liruar në mënyrë absurde nga gjykata dhe prokuroria, që ka pasë detyrën e verifikimit të uljes së viteve të dënimit, për prapavijë politike dhe për të mbuluar gabimet e saj, bën arrestimin e klientit tim”, thekson avokati.
Ai ka shtuar, se arrestimi i Drejtorit të Burgut të Durrësit, është një absurd dhe një show-politik, që duan të bëjnë me një funksionar publik, për t’i shërbyer qarqeve të caktuara.
Prokuroria e Durrësit lëshoi sot në mbrëmje (21 dhjetor) dy urdhërarreste për dy zyrtarët më të lartë të Burgut të Durrësit për shkak të hetimit mbi lirimin para kohe të Lulzim Berishës, kreut të “Bandës së Durrësit”.
Drejtori, Astrit Kotaj u arrestua nga Policia e Shtetit pas urdhërit të prokurorisë ndërsa juristi, për të cilin prokuroria dha inicialet T.L., është shpallur zyrtarisht në kërkim.
“Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Durrësit, rezulton se Drejtori i Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (burgut) dhe juristi i këtij institucioni, kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit të burgim të të dënuarit Lulëzim Berisha”, bëri të ditur Prokuroria e Përgjithshme në një njoftim për shtyp.