Nga Jorida Tabaku
Këshilli i Bashkimit Europian, pas mbledhjes së tij, vendosi ndër të tjera të vazhdojë mbështetjen e Shqipërisë për integrimin në BE duke vënë në pah që në pikën e parë ndryshimet kushtetuese të miratuara në mënyrë unanime, duke i hapur rrugë reformës në drejtësi sipas standardeve më të mira.
Mirëpo me gjithë mbështetjen për Integrimin, Këshilli Europës thekson pikat e mëposhtme si të rëndësishme për hapjen e negociatave. Shqipërisë i kërkohet që të plotësojë pesë kushtet që kjo qeveri i trashëgoi nga qeveria e kaluar e cila arriti të firmoste dhe mundësonte procesin e Stabilizim Asocimit:
– Këshilli ka inkurajuar Shqipërinë që të ndjekë një reformë në drejtësi të kuptueshme dhe të plotë duke rritur kësisoj profesionalizmin, eficencën dhe pavarësinë e gjyqësorit.
– Përveç kësaj i kërkohet një betejë më e fortë dhe rezultate konkrete në betejën kundër korrupsionit në nivele të larta, krimit të organizuar si dhe betejën për zhdukjen e rrjeteve kriminale të drogës dhe trafikut.
– Kërkohet masa legjislative dhe politike më efiçiente për të përforcuar të drejtat e njeriut dhe politikat anti-diskriminuese, përfshirë edhe trajtimin e barabartë të gjithë minoriteteve dhe të drejtat për këdo nga këto persona në gjithë Shqipërinë sikundër edhe zbatimin korrekt të së drejtës së pronësisë.
– Komisioni vëren një betejë shumë të vakët sa i takon pastrimit të parave, trafikimit të qenieve njerëzore si dhe mungesës së bashkëpunimit mes policisë dhe prokurorisë.
– Një tjetër kusht që ndodhet në deklaratën e ministrave të jashtëm, lidhet me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit si një qasje e cila do të largojë nga parlamenti personat me të shkuar kriminale. Një pikë kjo e cila i shtohet kushteve për anëtarësimin e vendit në BE!
– Në deklaratën e komisionit flitet për përforcim të reformave që do të ndihmojnë rritjen e konkurueshmërisë në treg duke e inkurajuar vendin të ndërmarrë hapa për të përmisuar klimën e investitorëve dhe biznesit e duke përmisuar konsolidimin fiskal.
– Qeverisë shqiptare i kërkohet që të ulet dhe të punojë bashkë me opozitën dhe faktorët politik për një reformë elektorale të bazuar në rekomandimet edhe direktivat e OSBE-OHDIR dhe këto ndryshime të ndodhin përpara zgjedhjeve parlamentare të radhës, në mënyrë të tillë që të sigurohen standardet elektorale Europiane. Duke i përcaktuar edhe zgjedhjet si një pikë kyçe për negociatat.
– Qeverisë i kërkohet që të vazhdojë të mbajë një qëndrim konstruktiv sa i takon bashkëpunimit rajonal. KE i tërheq vëmendjen Shqipërisë se aksionet dhe qëndrimet që kanë një impakt negativ mbi raportet e fqinjësisë së mirë duhet të shmangen.
Topi është në fushën tonë. Nuk ka as rrezik islamik, as euroskepticiziem, as lodhje nga zgjerimi e askënd që bllokon këtë proces! Duhet punë, duhet përkushtim e duhet që integrimi europian të jetë prioritet kombëtar! Europa duhet fituar, nuk na e fal askush!