Menjëherë pas hetimeve për ngacmime seksuale të të miturve nga bota e futbollit në Angli, një lajm tjetër tronditës për abuzim seksual vjen nga policia britanike.
Mbi 300 punonjës të policisë janë akuzuar nga qytetarë të zakonshëm për abuzime dhe ngacmime seksuale.
Lajmi tronditës u bë me dije, menjëherë pas raportit të Komisionit Inspektues të Policisë në Angli dhe Uells, për periudhën dy vjeçare nga viti 2014 e deri në mars të këtij viti (2016), si edhe jepen emrat e të dyshuarve për ngacmime dhe abuzime seksuale.
Në mesin e viktimave të policisë, dalin të jenë gra, që i janë drejtuar policisë me kërkesë për ndihmë ngaqë burrat e tyre ushtronin dhunë. Mirëpo, në vend të ndihmës, policët mendohet se kanë abuzuar me to.
Inspektori i policisë britanike, Stephen Watson, tha: “Kjo është forma më e keqe e korrupsionit dhe shkeljes së detyrës, ne nuk mundemi në asnjë rrethanë t’a justifikojmë apo t’a falim një veprim të tillë”.
Ndër të tjera, inspektori theksoi se viktimat e dhunës ishin kryesisht njerëz që kishin përjetuar dhunë në familjet e tyre, më pas njerëz të varur nga drogërat, punëtorët e seksit, të arrestuar dhe grupe të tjera.
Në lidhje me këtë raport, është shprehur edhe ministri i Brendshëm Amber Rudd, i cili e quajti raportin “tronditës”, pasi veprime aq të shëmtuara “mund të minojnë besimin e publikut për policinë”.
Këtë lajm tronditës, Këshili i Drejtorisë së Policisë Kombëtare (NPÇ), përmes një deklarate e ka cilësuar si “sëmundje”.
“Abuzimet seksuale janë lloji më serioz i korrupsionit. Kurrë nuk mund të shfaqen si të drejta apo të shpërfillen”, theksohet në deklaratë.