Pankarta e shfaqur nga një grup tifozësh në stadiumin e Lensit në ndeshjen e Shqipërisë me Zvicrën, ka ndezur theksin e deklaratave mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias ka theksuar se disa qarqe nacionaliste po përpiqen të minojnë përpjekjet e Greqisë dhe Shqipërisë për përafrim, duke sjellë në qendër të vëmendjes çështjen inekzistente të çamëve.
Menjëherë pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe pala shqiptare. Ministria e Punëve të Jashtme i është përgjigjur nëpërmjet zëdhënësit të saj, Glevin Dervishi.
Mirëpo, reagimi nuk ka qenë aspak diplomatik dhe për më tepër racional siç edhe situata do ta kërkonte një gjë të tillë. Me nota folklorike, pasionate dhe një tekst patetik, që a thua, kishte dalë nga laboratori i AK-së së Kreshnik Spahiut ka ardhur si përgjigje ndaj palës greke.
Zëdhënësi i MPJ, Dervishi ndërsa është rrekur t’i japë përgjigje palës greke, kishte veshur një fanellë sportive të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, në sfond me flamurin shqiptar, ka thënë shkurt, qartë dhe prerazi se Shqipëria nuk ndan shqetësimin e tyre irracional nga fjala Çamëri.
Edhe pse kohët e fundit, qeveria po shket në një nacionalizëm folklorik, gati-gati, qesharak për nga mënyra se si transmetohet, deklarata e sotme e zëdhënësit të MPJ, përveç një teksti të dobët, pa mesazh dhe aspak racional, u dha në një model “kinezerie”, komplet falso dhe që kodi etik i një institucioni të tillë do ta konsideronte një gafë shumë të rëndë.
Nuk mund të imagjinohet në asnjë vend europian, që një institucion që është primar në politikën e huaj dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare mes vendeve, të dalë me një fanellë futbolli, me një inskenim qesharak, dhe të mbajë një deklaratë për një nga çështjet më të mprehta dhe diplomatike mes dy vendeve tona, pothuajse tashmë prej një shekulli.
Realiteti i çështjes Çame është prezent në dejet e historisë së kombit shqiptar, një realitet i pamundur të zhbëhet, por mbi të gjitha, përtej folklorizmit, ka nevojë për qetësi, mendim dhe paraqitje dinjitoze në mbrojtje të kësaj kauze.
Si më poshtë vijon po ju paraqesim deklaratën e plotë të MPJ:
“Më vjen keq ta them, por ne nuk ndajmë shqetësimin e tyre irracional nga fjala Çamëri. Çështja çame është një çështje thelbësore e raporteve dypalëshe dhe thelbësore për të drejtat e njeriut. Madje trajtimi i saj me realizëm dhe diskutimi i thellë për të do të ishte dëshmi maturie e marrëdhënieve tona dhe e respektit të ndërsjelltë. Shpreh keqardhjen që në vend që fokusi të mbetet në fushën e blertë dhe në magjinë e futbollit, ata janë fokusuar në detin e tifozëve kuqezinj të pranishëm dje në stadium, sjellja e të cilëve është evidentuar si tepër korrekte dhe tepër e shkëlqyer nga mediat franceze dhe ato ndërkombëtare”, tha Glevin Dervishi nga Ministria e Punëve të Jashtme.