Zëvendësministri i Brendshëm, Ilir Marko, ka qenë i dënuar me 4 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë dhe ajo e Apelit, për trafikim makinash të vjedhura. Por ky vendim është prishur më pas nga Gjykata e Lartë dhe në përfundim prokurori i çështjes e tërhoqi akuzën, duke e liruar atë nga vepra penale.
Marko është dënuar më 16 Shkurt të vitit 2006. Ky vendim është në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, në Shtator të po atij viti, siç e shënon edhe ai vetë në formularin e vetëdeklarimit, në bazë të ligjit të Dekriminalizimit.
Por më 18 Prill të vitit 2007, Gjykata e Lartë i prish dy vendimet dhe kërkon rigjykim me një tjetër trup gjykues.
Kur çështja rikthehet për shqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë, në Mars të vitit 2008, prokurori i çështjes i tërheq akuzat.
Marko ishte dënuar për trafik të një makine tip Volkswagen Passat në vitin 2003. Ai ia kishte blerë atë një shtetasi italian, Masimiliano Locorotondo, edhe ai i dënuar për këtë vepër.
Në dokumenta figuronte që kjo makinë ishte futur në Kapshticë nga Ilir Marko, që në atë kohë punonte si menaxher në një firmë private dhe në bazë të këtyre shkesave, ai e kishte kaluar mjetin në pronësi te tij, duke e zhdoganuar dhe duke e pajisur me targa.
Por hetimet e mëpasme provuan se makina ishte futur nga shtetasi italian, pasi Marko nuk kishte qenë i pajisur me vizë greke në atë periudhë dhe nuk kishte mundësi ta kishte marrë mjetin në Greqi.
Nga ana tjetër rezultoi se ishte falsifikuar data e aktit të shitblerjes dhe fletë – hyrja e mjetit.
Por sipas prokurorit të çështjes, nuk mund të bëhej ndjekje penale për Ilir Markon në vitin 2008, pasi nga koha e kryerjes së veprës penale në vitin 2003 dhe deri në çastin e marrjes së personit si i pandehur, kanë kaluar 5 vjet, për një krim që parashikon një masë dënimi deri në 3 vjet burg.
Gjatë gjykimit dhe deri në vitin 2001, Ilir Marko shënon në formularin e vetëdeklarimit se ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai u emërua Zëvendësministër i Brendshëm në Janar të këtij viti./ Tv Klan