Një anije e dyshimtë mallrash që mban flamurin e Sierra Leones ka ngjallur panik tek autoritetet greke. Anija e mallrave që transportonte çimento nga Shqipëria për në Libi, u ankorua në portin e Katakolo në Greqi.
Mediat greke shkruajnë se autoritetet e vendit të tyre kishin marrë informacione nga shërbimet sekrete se anija me çimento shqiptare transportonte armë apo edhe drogë. Pas një ndjekje nga rojet bregdetare të Greqisë, anija u ankorua në portin e Katakolo, ku iu nënshtrua kontrolleve.
Anija ishte nisur para disa ditësh nga porti i Durrësit me 2700 ton çimento për ta transportuar në Tobruk të Libisë. Kështu raportojnë mediat e vendit helen ditën e sotme, shkruan Syri.net.
Sipas tyre, sinjalizimi është dhënë nga shërbimi sekret francez, se në anije dyshohet se kishte armë të fshehura. Burime të tjera për Inteligjencën greke thanë se kishte dyshime se mund të trafikohej edhe drogë. Forcat Speciale të Greqisë dhe qentë gjurmues rrethuan anijen dhe kontrolluan të gjithë mjetin për të vërtetuar ekzistencën apo jo të armëve apo drogës.
Autoritetet greke kanë qenë shumë hermetike dhe nuk kanë dhënë informacion se çfarë kanë gjetur në anijen që transportonte çimento nga Shqipëria, apo nëse pretendimet e ngritura nga Inteligjenca e huaj kanë qenë të gabuara. Të paktën deri tani nuk është raportuar të jetë gjetur ndonjë ngarkesë e dyshimtë, ndërsa pritet që informacione të tjera të bëhen publike në vijim.