Duke filluar nga 1 korriku jo të gjithë makinat do e kalojnë testin e kolaudimit. Kjo për faktin se normat e shkarkimit të gazrave do të ulen dhe shumë automjete do të penalizohen.
Vetëm për 4 muajt e parë të këtij viti afro 10 mijë mjete nuk e kaluan testin në 108 mijë të kontrolluara, për shkak të normës së lartë të çlirimit të gazrave.
Megjithatë qeveria do t’i qëndrojë planit për t’i ulur edhe më tej normat, duke bërë që të penalizohet një numër më i madh automjetesh. Ulja do të jetë për t’i përputhur normat 100 % me ato të Bashkimit Evropian. Por këtu ka një problem.
Cilësia e naftës dhe benzinës konsiderohet si shkaktar kryesor për skualifikimin e automjeteve nga kolaudimi dhe për këtë mesa duket qeveria nuk mendon. Konsumatorët dhe grupet e interesit vazhdojnë të ankohen se cilësia e naftës dhe benzinës në Shqipëri vijon të jetë jashtë standardeve, raporton “Lapsi.al”.
Me uljen e normës së shkarkimit të gazrave, pikërisht për shkak të cilësisë së dobët të karburanteve, numri i makinave që rrezikojnë të ngelen në testin e kolaudimit, pritet të jetë shumë më i lartë se ai i 4 muajve të parë të këtij viti.