Vichai Srivaddhanaprabha, pronari i Leicester City, njeriu i katërt më i pasur i Tajlandës me një pasuri personale prej 2 miliard eurosh, i ka dhuruar stafit dhe lojtarëve të ekipit 30 Mercedes Class B Electric. Një gjest që i ka kushtuar atij rreth 1 milion sterlina. Por, numrit një të “Dhelprave”, i ka mjaftuar një natë në kazino për të nxjerrë më shumë se dyfishin e shumës së shpenzuar për makinat luksoze. Në fakt, siç ka bërë të ditur “The Sun”, të mërkurën në mbrëmje biznesmeni 58-vjeçar ka qenë vizitor, bashkë me disa miq, i “Gentling Casino”, prej ku ka dalë disa orë më vonë me 2,5 milionë sterlina të fituara (më shumë se 3 milionë euro).
Tani mund ta kuptoni pse Srivaddhanaprabha nuk e ka aspak problem t’i blejë makina të gjithëve dhe të ofrojë birra dhe pica falas në “King Power Stadium”, sa herë që do. Dy herë gjatë këtij sezoni, tifozët e Leicester kanë ngrënë dhe pirë falas (hera e parë ka qenë në dhjetor, ndërsa muajin e kaluar janë ofruar ëmbëlsira dhe birra për ditëlindjen e shefit) dhe kjo do të përsëritet sot me rastin e ndeshjes kundër Everton, që do të jetë dhe sfida e fundit në shtëpi e Leicester për këtë sezon të jashtëzakonshëm në Premier League, me “Dhelprat” që kanë fituar titullin e parë në historinë e klubit. Ata që do të paraqiten në stadium me një biletë të rregullt apo me një abonim do të marrin një kupon për një picë falas.
Teksa gjithë Leicester po përgatitet të festojë një ditë historike, me Danny Drinkwater që i ka bërë thirrje tifozëve në Twitter me mesazhin “Today is the day”, zoti Jake Caratella vazhdon të bëjë xhiro në qytet me Rolls Royce e 1975-ës, të personalizuar me stemën dhe ngjyrat e skuadrës. Në fakt, menjëherë pas zyrtarizimit të titullit falë barazimit mes Chelsea dhe Tottenham, ai ka transformuar makinën e tij të bardhë, duke vendosur logon e klubi në anë dhe duke e mbuluar mjetin me shkrime mbi skuadrën e tij të zemrës.
Një gjest që i ka kushtuar 3 mijë sterlina (rreth 3.800 euro), të cilave i ka shtuar edhe 500 të tjera, sepse nga dita e martë 56-vjeçari Jake bën xhiro me Rolls-in e tij kudo dhe sa herë që ndalet diku, rrethohet nga qindra njerëz që i kërkojnë të bëjnë një fotografi me të, madje ka pasur edhe nga ata që i kanë kërkuar t’i huazojë makinën për martesë. “Nuk mendoja kurrë se një ditë e tillë mund të vinte, është me të vërtetë një mrekulli”, ka thënë zoti Caratella. Por ndoshta kjo tregon se ndonjëherë ëndrrat realizohen me të vërtetë, mjafton të kesh besim.